Bosnevi Babai

nga Baba Rexhebi

Bosneviu është një nga klerikët e mëdhenj bektashinj të shekullit të XIX-të. Bosnevi Baba ka lindur në Bosnje, në shekullin XIX, ku edhe është shkolluar dhe ka fituar kulturën fetare. Pastaj shkoi dhe u frymëzua me frymën mistike bektashiane në Teqenë e Hidër Babait në Kërçovë, duke u dorëzuar te udhërrëfyesi i kohës së atëhershme në atë Teqe, Ismail Babai.

 

Bosneviu përshkruan cilësitë e themeluesit të Teqesë së Kërçovës, Hidër Babait dhe përmend edhe udhërrëfyesin e tij Ismail Babanë me dervishë duke dhënë shpjegim në këtë vjershë të tij:

 

Këshilla ime është, o ju dashurues!

T’ju përshkruaj vendin e Hidër Babait.

Zemra në ju digjet dhe jeni kërkues,

Për fronin e Parajsës të Hidër Babait.

 

Ditën, pas Matemit, gjithë të mbledhur janë,

Gjithë të gëzuar, presin dhe kurban,

Det i gjithë dhurimit është ai sulltan,

Shoku nuk i gjendet Hidër Babait!

 

Dervishët të ëmbël, mu si Engjëj janë,

Të gjithë të përulur, krye në dhe kanë,

Ismail Babai drejton an e mbanë,

I bie kodumit, të Hidër Babait.

 

Si dymbëdhjetë Imamët, shenjtor u tregua,

Kush i pa Mejdanin bindur u dëftua,

Pa dyshim evladi Ali u njoftua,

Raca prej Hajdarit, e Hidër Babait.

 

Brez pas brezit mbeti dhe po trashëgohet

Dëm mos pastë kurrë, nga herë të qëndrohet,

Përshkrimi s'i bëhet, nuk mund të dëftohet,

Bosneviu s’ia thotë dot Hidër Babait.

 

I frymëzuar me frymën mistike, ai thuri vjersha shumë të bukura. Vjershat e tij këndohen me melodi, si nefes, nëpër teqetë e ndryshme bektashiane. Ja një vjershë e tij shumë e njohur:

 

Po kërkon ty të të hapet ajo portë e dashurisë,

Ai që e hap dhe bën të hapet është Aliu i madh, Aliu!

Po kërkon pamjen e Zotit, t'i hedhësh  sytë bukurisë,

Ai që sheh dhe bën të shihet është Aliu i madh, Aliu!

 

Kryetari i botës është Muhamed Mustafai,

Në Miraxh gjithëve iu tregua rruga dhe sekreti i sajë,

Njeri tjetër nuk e dinte veç Aliu, Myrtezaji,

Ai që e di dhe bën të dihet është Aliu i madh, Aliu!

 

O vëlla! Ti dervish bëhu, me mëri ti mos qëndro,

Bëhu si njeri i thjeshtë edhe zëmrën e pastro,

Ti kërko të arrish qëllimin, egoizmin e largo,

Ai që i mbërrin dhe bën të mbërrihet është Aliu i madh, Aliu!

 

Ushtria e Jezidit mu në Sham u përqendrua,

Besimtarëve të gjithë lajmërimi iu dërgua,

Në dyzet shenjtët sherbeti, mu në mbledhje u ndërtua,

Ai që ndreq dhe bën të ndreqet është Aliu i madh, Aliu!

 

Ajka e shenjtorëve janë Muhamedi dhe Aliu,

Këtë kush s’e kuptoi s’numërohet prej njeriu,

Bosneviut i rrjedhin lotët, që nga sytë, vetvetiu,

Ai që rrjedh dhe bën të rrjedhin është Aliu i madh, Aliu!

 

Shpjegimi i vjershës:

 

Në strofën e parë do të thotë se ti, ndjekës, nëse dëshiron të të hapet porta e dashurisë shpirtërore, me anën të së cilës do të gjesh rrugën e përsosmërisë, drejtoju nga Aliu, sepse Ai është trashëgimtari i parë i frymëzimit nga Profeti Muhamed. Kjo dashuri të shkrin fare dhe të bashkon me Zotin. Prandaj zërë këtë rrugë, se rruga e Aliut ta tregon atë.

Në strofën e dytë thotë se rruga e përsosmërisë iu frymëzua Profetit Muhamed natën e Miraxhit. Dhe Profeti ia frymëzoi Aliut. Prandaj thuhet se nuk e din njeri tjetër këtë sekret përveç atij, prandaj tek Ai drejtoju dhe merre.

 

Qëllimi me sherbetin, që përmendet në vjershë, është lëngu i përsosmërisë, me të cilin dehen ndjekësit nga fryma hyjnore dhe e drejtojnë rrugën për ta arritur atë. Për këtë flet edhe një verset  i Kuranit.

 

Në fund thotë: Bosneviu qan, vajton dhe derdh lot për të arritur atë qëllim, të cilin e pret vetëm nga frymëzimi i Aliut, se Ai e ka në dorë këtë pune, siç shpjegohet.

 

Ja dhe një vjershë tjetër e Bosneviut,  nëpërmjet të cilës i këshillon dervishët:

 

Jam dervish unë thua, kam hyrë në Mejdan,

Mirëpo a le botën? A e përjashtove?

Në Mejdan ti hyre, shikove erqan,

Erqanit sekretin a ia kuptove?

 

Të drejtë e ka rrugën kush është i vërtetë,

Lule e dashurisë bilbili në jetë,

Natyrë e Ahmedit e Aliut vetë,

Ti këtë natyrë a e përvetësove.

 

Pirit i shërbeve për erqanin tënd?

Ndonjë fitim a kreve në imanin tënd?

Punon me dëshirë ti për xhanin tënd?

Hirkën e durimit në krah a e shkove?

 

Me pasje, pa pasje bëre llogari?

Me bindje, pa bindje u shoqërove ti?

Zëmrën e zgjerove? E pastrove ti?

Nga të gjithë dyshimet ti a u largove?

 

Çka këtu në botë njëherë pa shiko,

Të mirën të keqen në gojë mos e shko,

Këshillën e tij mbaje, Bosnevin dëgjo,

Se dy sytë i hape? A mirë shikove?

 

Në lidhje me këtë vjershë, në fillim do të sqarojmë kuptimin e disa fjalëve:

Fjala Erqan është ceremonia zyrtare e dorëzimeve.

Xhan do të thotë shpirt.

Iman do të thotë besim.

 

Sipas vjershëtorëve të vjetër, kulmin e dashurisë e simbolizon trëndafili. Dhe si dashuruesin e saj përfytyrojnë bilbilin. Këtë bukuri morale (do të thotë Bosneviu në vjershë) e përfaqëson Muhamedi dhe Aliu, të cilëve të gjithë ndjekësit shpirtërorë u bëhen Dashurues dhe u këndojnë për bukurinë e tyre.

 

Në strofën e katërt do të thotë se atij që ndjek rrugën për dervish i ndodhin në botë raste të ndryshme, si pasje, pa pasje. Ngatërrohet me çdo njeri, të mirë e të keq, por çdo gjendjeje duhet t'i bëjë ballë me anën e durimit.

 

Ja dhe një vjershë tjetër e Bosneviut:

 

Nga pozita e Njësimit rashë fushës edhe shkova,

Gjithë përpjetat, tatëpjetat i kaptova edhe erdha,

Dhe sekretet e kuptimit të papjekurit nuk ja tregova,

Nga ata që kuptojnë i mësova edhe erdha.

 

Me këmishë origjinale nëna ime më pështolli,

Shije Engjëlli më dhanë, me atë ngjyrë më pështolli,

Si Ademin mu në kokë mua në botë më solli,

Shatë palë qiejt unë i çava, i përshkova edhe erdha.

 

Këto mbledhje dashurie, mbledhje burrash këto janë,

Gjithë të mirët dhe shenjtorët këto mbledhje gjithë kanë,

Të dyzet shenjtorët gjeta dhe Ademin atje pranë,

Mu tek këmbët fshiva faqen e fërkova edhe erdha.

 

Ti po merr vesh dhe kupton, zemra ime, pa dëgjo,

Ti atë shpirtin tënd të shtrenjtë udhërrëfyesit ia dorëzo,

Kërko “Togun e shpëtuar” të arrish atje shiko,

Bukurinë e Zotit vetë, unë shikova edhe erdha.

 

Unë jam vetë Bosneviu, fjala nga gjuha më shkoi,

Ai që është dashurues, besëlidhjes i qëndroi,

Fshehtas më erdhi njohuria edhe trupin ma pushtoi,

Dhe faljen mijëvjeçare e mbarova edhe erdha.

 

Në vazhdim japim shpjegimin e kësaj vjershe:

Pozita e Njësimit është shëtitja tek Zoti, ku bëhet Njësimi dhe shkrihet njeriu tek Ai. Me këtë shëtitje synon në “lëvizjen nga Zoti” (Sejranillah), e cila bëhet siç është e njohur për frymëzimin e njerëzimit për në rrugën e mbarë. Dhe sekretet e këtyre lëvizjeve, thotë Bosneviu “u a mbajta të fshehta dhe nuk u a thashë atyre që nuk i kuptojnë”.

 

Këmisha origjinale janë të katër esencat kryesore (anasiret) që sipas mendimit të vjetër vishet shpirti kur vjen në botën lëndore. Këto janë: uji, zjarri, balta, era. Shije Engjëlli domethënë butësi.

 

Shtatë palë qiejt janë pjesët e qiellit, apo shtresat e tij, ashtu siç ndahej qielli në kohët e vjetra. Të tjerat janë të kuptueshme. Vetëm me faljen “mijëvjeçare” ka qëllim përuljen që prej fillimit (ezel), e urdhëruar nga Zoti për Profetin Adem.

 

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There is currently 1 user and 1 guest online.

Online users