Kujdesi ne zgjedhjen e anëtarëvet spirituale

 

Një tjetër parim me rëndësi, i trashëguar nga Hunqar Haxhi Bektashi Veliu, është kujdesi i madh në zgjedhjen e anëtarëvet spiritualë. Vërtet Bektashizma (siç thamë) u-përhap dhe përparoi me hapa të rrufeshme kudo, por udhërrëfenjësit bektashinj, sidomos ata të vjetrit, kanë qënë shumë të kujdesur dhe të rezervuar në zgjedhjen e anëtarëvet spiriutalë.

 

Bektashinjtë e vjetër nuk merrnin çdo njëri nga rruga dhe e futnin brenda. Duhej t'a zgjidhnin mirë e mirë një herë pastaj t'a merrnin me vetë. Çdo njëri që kërkon të hyjë në Bektashizmë rregullisht nuk mund të pranohet pa patur cilësitë e duhura.

 

Si udhërrëfenjësit, ashtu dhe Bektashinjvet të vjetër, per një njeri që dëshironte të hynte ne rrugë, duhej t'u mbushej mëndja një herë për aftësinë e tij. Duhej të studjonin një kohë të gjatë sjelljet e tia, karakterin e tij, pastaj t'a shkonin në provime të imta për shumë kohë e në fund t'a quanin kandidat për udhën bektashiane.

 

Këtë kandidaturë përsëri duhej t'a studjonin se e kish me gjithë zemër, apo e kërkonte për kuriozitet, apo për oportunitet. Por nuk mjaftonte me kaq. Mbassi u mbushej mëndja që zellin e kishte me gjithë shpirt, atëhere e merrnin nëpër rrethe të ngushta, nëpër muhabete dhe i shtonin zellin, duke i shpjeguar cilësitë, biografinë, sakrificat e Profetit Muhammed (a.s.), pozitat e tija spirituale të larta, e të tjera gjëra të këtij lloji.

 

Pastaj i shpjegonin zotësinë dhe meritat e të Madhit Ali, gradën e tij të lartë shpirtërore, shërbimet e mëdha që i ka bërë fesë islame me zotësi dhe vetëmohim.

 

I tregonin gjithashtu biografitë e Imamëvet, te Ehli-Bejtit të tërë me hollësi, duke i vënë në dukje këshillat e tyre, meritat e tyre dhe pozitat e larta shpirtërore, që gëzonin ndaj Zotit.

 

Me këtë menyrë kandidatit i shtohej zelli shumë dhe i shumohej dëshira për të hyrë, dhe i futej ne zemër dashuria shpirtërore dhe zjarri i saj.

 

I prekur thellësisht, kandidati e shtonte më tepër kërkimin dhe atëhere merrte emrin talib (kërkuës).

 

Kjo dashuri i hynte dhe i shtohej aq tepër kërkuësit sa e quante dasmën më të madhe natën që do të hynte në rrugë dhe do të shikonte sekretet dhe hollësitë e saja.

 

Me kohë i shtohej aq shumë zjarri i dashurisë sa ishte në gjëndje të bënte çdo sakrificë për të mbrrijtur në të vërtetat e këtij ideali.

 

Ndjekësi kur arrinte në këtë gradë quhej ashik (dashuruës). Dhe në këtë kohë ishte i vendosur që të hynte në rrugë.

 

Por puna nuk mbaronte përsëri me kaq. Ai duhej te provohej nëse ishte në gjëndje t'a ruante apo jo sekretin. Duhej të ishte gojë-mbyllur, të mos kishte sy në gra, të mos kishte zakon të thote të remen, të ishte gati të bënte çdo sakrificë për të vënë në zbatim porositë e Bektashizmës dhe të kishte, me një fjalë cilesi të larta njerëzore.

 

Kur formohej bindja per këtë, atëhere merrej nëpër mbledhje të veçanta. Thirrej shpresh herë nga Teqeja. Bisedonte me Babanë dhe me dervishët, por nuk futej në ceremonira të veçanta. Vetëm se futej në bisedime më të gjata me Babanë dhe me dervishët dhe kjo ishte pothuaj faza pregatitore për te hyrë në mejdan.

 

Kjo përsëri varej nga zotesia e tij. Ne qoftë se do të provonte meritën e tij me fakte, atëhere vendosej pranimi dhe caktohej dita që do të shkonte në ceremoninë e dorëzimit. Dhe kur dorëzohet kërkuësi merr emrin vëlla shpirtëror (xhan).

 

Në qoftë se vëllai shpirtëror dëshiron të sakrifikohet i mbyllur në shërbimin e Teqesë dhe bën premtimin solemn për këtë, pas një kohe të gjatë provash, prej njëmijë e një ditësh, sheh një ceremoni tjetër dhe merr titullin dervish.

 

Mbassi t'i provohet zotësia si dervish për tre vjet me radhë të tjera, dhe të japë provat e duhura, shikon dhe një tjetër ceremoni, e cila quhet ceremonia e virgjërimit (myxhered). Për t'u dalluar këta dervishë nga të tjerë, pas ceremonisë së dorëzimit, të nesërmen u shpohet veshi i djathtë në turbenë e Ballëm Sulltanit.

 

Kur dervishi tregon zotësi dhe pjekuri gradohet prej Kryegjyshit ose prej ndonjë Gjyshi me gradën Baba. Dhe po të shohij Babaj dhe një dorëzim tjetër, që është ceremonia e fundit e gjyshërimit, e cila kryhet prej Kryegjyshit ose prej dy apo tre Gjyshërvet, merr gradën e lartë Gjysh dhe kryeson Gjyshatat. Dhe kur zgjidhet nga Gjyshërit për të kryesuar Bektashizmën mer gradën më të lartë në Bektashizmë, që është titulli Kryegjysh.

 

Për të arritur në gradën Baba dhe të bëhet udhërrëfenjës duhet të dijë mirë, përveç të tjeravet, rregullat dhe të gjitha ceremonitë bektashiane dhe të ketë eksperiencë të madhe.

 

Në kohrat më të vjetra, për t'i pregatitur më mirë, dervishët i dërgonin për tre vjet nëpër vizita në Qerbela, në mezarin e Imam Hysejnit në Irak, në mekamin e të Madhit Ali në Nexhef, në Horasan ku janë vendet e shënjta të Imamëvet, në Baghdad ku ka shumë shënjtorë, në Medine në muzeleumin e Profetit Muhammed (a.s.), në Mekke për të kryer Pelegrinazhin Islam dhe nëpër të gjitha vendet dhe vizitat e shënjta të Profetëvet dhe Shënjtorëvet që ndodhen në vende të ndryshme, si në Palestine e gjetiu.

 

Këtë e bënin për t'a pjekur dervishin që të vuante dhe të provonte të mira e të këqija. Cilësitë e mira, që gjënte kudo, t'i përvetonte dhe veset e këqija, që shikonte, t'i largonte prej vetes së tij. Dhe me të vërtetë, dervishi që plotësonte vizitat, kishte një tjetër pamje dhe fitonte eksperiencë ne çdo punë.

 

Shtojmë me këtë rast se ishte bërë zakon në kohët e vjetra që, sikur të bënte ndonjë faj dervishi në shërbimet e Teqesë, për të vuajtur denimin, e detyronin menjëherë që të shkonte nëpër vizitat e shënjta, më të largeta, që kështu të shikonte, të vuante dhe të stërvitej. Dhe me të vërtetë, në këtë menyrë përmirësohej shumë, largonte të metat dhe bëhej tamam njëri në kuptimin e fjalës.

 

Siç thamë, dervishi, për të arritur në gradën e udhërrëfimit, me titullin Baba ose Gjysh, duhet të ketë mbrrijtur në një shkallë pjekurie. Duhet të dijë më në fund rregullat dhe ceremonitë dhe të marrij vesh mirë hollësitë dhe të mbyllurat e filozofisë Bektashiane, sidomos ato të besimit, thellësitë e të cilavet nuk është lehtë t'i tretësh mirë.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 39 guests online.