Ndjekja në Bektashizmë

 

Ndjekja apo sulûqi është udhëtimi shpirtëror që bën ndjekësi i Bektashizmës, kur dorëzohet. Sâliq domethënë ndjekës, apo udhëtar. Qëllimi me këtë lloj udhëtimi është përpjekja që bën ndjekësi për të arritur tek Zoti, me anën e udhëzimeve që i jep udhërrëfenjësi. Me këtë ndjekje shpirtërore qëllimi është që ndjekësi të pregatitet të përmirësojë moralin. Duhet të frenojë epshin nga lakmia për grada, apo për cilësira të kësaj bote. Duhet të ruhet nga madhështia, nga ambicia, nga gënjeshtra, nga lakmia, nga marrja nëpër gojë, nga dorështrëngimi, nga dëmtimi i tjetrit dhe, me një fjalë, nga të gjitha veset, gabimet dhe mëkatat - dhe të pajiset me cilësira të larta njerëzore, si bije fjala me dije, butësi, turp, hir, drejtësi e të tjera të këtij lloji. Ky rregull nuk është vetëm për Bektashinjtë, por për të gjithë mistikët e tjerë islamë.

 

Një nga mistikët e mëdhenj islamë, Ismail Hakkiu, thotë per ndjekjen : Ndjekja vjen kur injorancën e këmben në dije, të gjitha veset e këqija i kthen ne cilësi të mira, dhe kur zhduk veten t'ënde për t'u ndriçuar me Zotin.

 

Me ndjekjen janë marrë edhe shumë mistikë të tjerë. Myhiddin ibn Arebiu, në librin e tij Futuhat-i Mekkijje (kuptimin e të cilit e kemi përmëndur gjatë e gjerë me parë) thotë për ndjekësin se është ai udhëtar që udhëton drejt pozitavet të afrimit me Zotin, por jo me anën e dijes, por me anën e gjëndjes shpirtërore, pse dija e mistikut është gjithnjë me gjetje (hâl) dhe me të parë (jakîn).

 

Një tjetër mistik, Kashaniu, e përkufizon keshtu ndjekjen: “Ndjekje quhet pastrimi i shtëpisë se zemrës nga çdo mejtim tjetër, përveçse Zotit dhe pregatitja e vendit te tij në 'të.” Kjo do të thotë të zbrazet zemra nga çdo gjë tjetër, që të afrohet shfaqimi i Zotit në ‘të.

 

Ndjekja apo udhëtimi në misticizmë kanë pothuaj një kuptim, vetëm se ndjekja apo udhëtimi janë dy llojesh:

 

  1. Ndjekja e rrugës me udhëtime të largëta
  2. Ndjekja shpirtërore

 

Për ndjekjen me udhëtime të largëta nuk do të bëjmë fjalë, pse përfitimin e saj e shpjeguam gjatë e gjerë në kapitullin e shkuar. Këtu do të merremi me ndjekjen morale, apo shpirtërore, e cila ka katër shkallë:

 

Ndjekja e parë është udhëtimi drejt Zotit (Sejr ilellah). Kjo domethënë të ngrihesh nga pozita e vetes që ndodhesh dhe të drejtohesh drejt Esencës se Vërtetë, Zotit. Me fjalë të tjera, të mundohesh të arrish në Majën e Lartë të pozitës se Tij. Kjo bëhet kur grumbulli i mbulesavet, të cilat të ndajnë nga Zoti, të ngrihen fare, të zhduken dhe të afrohesh tek Ai.

 

Kjo mund të shpjegohet edhe me një shëmbëll tjetër, me lëvizjen e një njohurie. Domethënë të nisesh nga njohuritë më të unjta dhe, duke përparuar nëpër shkallët e njohurivet shkon nga ajo e larta tek ajo më e larta fare, që është njohuria e Zotit, së cilës në gjuhën fetare i thonë (Ilm ul-Ledûni) ose njohuri hyjnore. E tillë njohuri arrihet vetëm kur fshin e pastron zemren nga çdo gjë ose njohuri tjetër dhe e qëron nga të gjitha. Kësaj, siç e kemi përmëndur dhe me pare, i thonë shkrirje për Zotin fenâ fillah.

 

E dyta nga këto udhetime është udhetimi tek Zoti (Sejr fillah), arrihet kur pajiset ndjekësi me cilësitë e Zotit dhe me moralin e Mbiemrit të Tij. Fundi i këtij udhëtimi shpirtëror është ngritja fare e mbulesavet dhe shfaqimi i njohurisë hyjnore, që përmëndëm më sipër (Ilm ul-Ledûni). Kjo grade ka kuptimin gjithashtu që ndjekësi në këtë pozitë shkrihet në Njësinë e Zotit dhe mbetet në këtë pozitë Divine, së cilës mistikët t'anë i thonë: mbetje tek Zoti (Bekâ billah).

 

E treta është udhëtimi me Zotin. Qëllimi me këtë është që, i pastruar nga çdo lëndë dhe, i shkrirë fare nga dualizma, futet në Divinitet dhe shëtit me këtë cilësi. Kjo është pozita e afrimit, që quhet më i afërm nga harku me shigjetën, e cila është shpjeguar në Kuran, në Kaptinën e Nexhmit, me fjalët “Kabe Kavsejni ev edna." (53:9)  Ky është kulmi i shënjtërimit, që në këtë gradë ndjekësit s'i ka mbetur as thërrime, as shënjë, është njësuar krejt. Kesaj, siç thamë, i thonë: Sejr me’allah (udhëtim me Zotin). Që të shpjegohet më mirë, burimin ky verset e ka kështu:

 

Profetit Muhammed (a.s.) kur ishte i vetmuar ne gufen "Hara", i u paraqit, në fytyre njeriu, Engjëlli Xhebra’il dhe, për t'a frymëzuar, i u afrua më pranë se shigjeta nga harku, lomethënë i u ngjit fare. Këtë tezë e kanë komentuar me interpretime të ndryshme komentatorët e Kuranit dhe japin thumë shpjegime të gjata, të cilat nuk është nevoja t'i përmëndim këtu, se nuk i përshtaten temës s’onë.

 

E katërta është udhetimi nga Zoti (Sejr an’illah), që domethënë se, i pajisur me gradën e Njësimit, kthehet për në grumbull. Qëllimi me këtë është që nga froni i Zotit kthehet në popull për të stërvitur e pjekënuar gjithë kërkuësit, apo ndjekësit. Kësaj pozite i thonë mbetje pas zhdukjes ose dukje pas humbjes. Kjo gradë është pozita më e lartë nga të gjitha pozitat e tjera.

 

Shkurtazi, nga të gjitha shpjegimet që dhamë me sipër merret vesh se, për t'u afruar pranë Zotit, më parë duhet të heqim dorë fare nga çdo gjë përveç Atij dhe të drejtojmë sytë nga Ai. Domethënë mendimin dhe zemrën t'a kemi gjithnjë tek Ai.

 

Tani vjen puna të mendojme se ç’fare pregatitje duhet të bëjmë për kete udhëtim dhe ç’gjera duhet të kemi me vete.

 

Mendimi i përgjithëshëm i gjithë mistikëvet dhe, në radhë të parë, i Bektashinjet është se për këtë udhëtim, më parë nga çdo gjë, duhet të gjeç një udhërrëfenjës të mbaruar e të përsosur (Myrshîd-i Qâmil), i cili të të udhëheqij dhe të të udhezoje në këtë udhëtim të gjatë e të rrezikshëm.

 

Udhërrëfenjësi është Ai që nuk të lë të humbaç rrugën, të shpëton nga rreziqet që mund të të paraqiten dhe nga dyshimet e mendimet e këqija, që round të të vinë. Vetëm me anën e udhëheqësit i kapërcen të gjitha dhe arrin në objektivë. Vetëm, pa këtë, nuk mund të udhëtohet. Le të kesh dije sa të duash, le të jesh i shkathët, nuk mund t'i a arrish qëllimit. Këtë gjë round t’a shpjegojmë me një shëmbëll të thjeshtë dhe praktike :

 

Një njeri le t'i dijë vendet të gjitha mirë, por, po nuk i ka shkelur, nuk mund të këtë eksperiencë. Për shëmbëll, çdo njeri e di që sheqeri është i ëmbël, por, po nuk e ka shijuar sheqerin, nuk mund të kuptojë se ç’farë lloi është ëmbëlsira e tij. Kur t'a shijojë, atëhere i vjen nga njohuria e ëmbëlsirës e plotë dhe e afërme dhe e di pa pikë dyshimi, se cilës në gjuhën fetare i thonë dije e afërme (Ilm ul-Jekîn).

 

Nga këto të gjitha kuptohet se për t'u-afruar në rrugën e Zotit duhet një udhëzim, gjë e cila është detyra e udhëheqësit, apo e udhërrëfenjësit, që në gjuhën mistike i thonë: tesliq, domethënë udhëtim. Se qysh kryhet prej udhërrëfenjësit detyra e udhëzimit do t'a shpjegojmë me hollësi në kapitullin që vjen.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 46 guests online.