Pregatitja e Ndjekësvet

 

Për pregatitjen e ndjekësvet duhet një mjeshtëri e posaçme, pse nuk është punë e lehtë të frymëzosh besnikët me filozofinë e hollë bektashiane.

 

Udhërrëfenjësit hollësitë e kësaj filozofie u a mësojnë ndjekësvet gradualisht, duke u a shpjeguar me shëmbëlla e një nga një, deri sa t'i stërvitin. Me këtë stërvitje u zbërthejnë një nga një të gjitha të pakuptueshmet, që basin në ndjekjen e kësaj rruge, deri sa të kuptojnë brëndëshmëninë e saj, konform fjalës së Haxhi Bektashit, i cili ka thënë :

 

“Kërkoje t'a gjesh të vërtetën.”

 

Për këto hollësi natyrisht u flitet simbas urdhërit të të Madhit Ali, i cili ka thënë :

 

Folni popullit simbas kapacitetit të tij mendor.

 

Hollësitë e thella të filozofisë mistike bektashiane nuk janë gjëra që i kuptojnë të gjithë, por u flitet simbas kapacitetit të tyre mendor. 

 

Në këtë menyrë, udhërrëfenjësit dalengadale i pregatitin ndjekësit dhe i udhëheqin në rrugën e përsosmërisë. Dalengadale i pajisin me dritën mistike bektashiane.

 

Një nga bazat që duhet t'u shpjegohet ndjekësvet është kjo: Që duhet të lidhin dashuri të madhe për Personin e Profetit të Madh, Muhammed (a.s.) dhe për fëmijën e Tij (Ehli Bejtin). Të zënë miq gjithë dashuruësit e tyre dhe të jenë armiq të fortë per armiqt e tyre, konform fjalës së Profetit, i cili ka thënë:

 

O, Zot ! Dashuro atë që dashuron Aline dhe ki armik atë që armiqësohet me Alinë.

 

I Madhi Ali ishte më i dashuri i Profetit Muhammed (a.s.) dhe me i afërti i Tij. Ky trim i madh dhe i vlefshem ra viktimë i syrit të lakmise dhe mbeti dëshmor dhe sakrifikoi jetën po për këtë lloj lakmie. Pra, për gjithë ata, që për këtë lakmi vunë në veprim ose shkakëtuan këtë krim për këtë njeri të madh (simbas fjalës së Profetit) duhet të mallëkohen dhe të përbuzen si kriminelë të njerëzimit dhe të fesë bashkë. Armiqt e fesë islame, simbas Bektashizmes, ne radhe të pare jane Umavinjte (fisi i Mavijese), të cilet, për lakmitë dhe ambiciet e tyre, zhduken gjithë femijen Profetike, hodhën poshtë dhe shkatërruan Republikën Islame dhe krijuan fronin e tyre, për të cilin, për t'a vazhduar, muarën ne sy çdo poshtërsi dhe kryen çdo krim, me menyrat më të pangjara në histori.

 

Ata, pikërisht për këtë qëllim, bënë krime të mëdha e barbare. Së pari helmuan njeriun më të dashur të Profetit, nipin e Tij, Imam Hasanin, njeriun më inocent dhe më të urte që ka parë bota.

 

Pastaj bënë aktin kriminal më të tmershëm, që s'e kish parë historia, në fushën e Qerbelasë, e cila tronditi dhe drodhi zemrat e gjithë botës dhe, në radhë të parë, të botës islame. Në këtë fushë fatale, më i dashuri i Profetit dhe nipi i Tij, Imam Hysejni, ra dëshmor i politikanëvet trathëtarë të fesë, Umavinjet, në menyrën më barbare, me buzë të thatë dhe pa ujë në kerthizën e vapës se Gushtit, gjë e cila 

s'ishte parë ndonjë herë në historinë e botës.

 

Me’të bashkë ranë dhe shtatëdhjetë e dy dëshmorë, burra nga fetarët më të pastër, dhe u-masakruan foshnja, gra e femijë, viktima të pafajshëm të agresorëve që kërkonin të siguronin lakminë dhe ambicien e tyre, fronin.

 

Tragjedia e Qerbelasë, siç thamë, tronditi gjithë botën dhe mbeti kujtim i hidhur gjatë gjithë shekujvet, deri sot e gjithë ditën, dhe përmëndet me përbuzje e me zemër të ngjethët.

 

Imam Hysejni, për të shpëtuar botën islame nga katastrofa, mori gjithë njerëzit e Tij, kur mori vesh komplotin, dhe iku fare nga qyteti i Medinesë dhe shkoi në Mekkë. Edhe atje, kur pa se nuk do t’i shpëtonte katastrofës, mori njerëzit e vet dhe iku, se nuk donte të shkakëtonte gjakderdhje. Por trathëtarët Umavinj nuk donin t'a linin të gjallë dhe e rrethuan në fushën e Qerbelasë, me dhjetëmije veta, ku i prenë ujet dhe e shtrënguan fort, qe ose të pranonte fronin e tyre ose do të linte jetën.

 

Por trimi i madh, i biri i trimit të shquar të botës, Aliut të madh, nuk pranoi kurrë nga frika një kompromiz të tillë, por preferoi dhe ra dëshmor në fushën e nderit, në menyrën që kallëzuam më sipër, ashtu siç ishte nderi, ashtu siç e kishte për 

traditë nga i ati i tij.

 

Hysejni vërtet u-mposht, mbeti i shtrirë ne fushën e Qerbelasë, u-shkel dhe u-përbuz nga të gjithë trathëtarët Umavinj, por ideali i tij, prestigj i dhe rregulli fetar, të cilin e mbrojti deri në pikën e fundit të gjakut, mbeti gjithë jetën i gjallë dhe u-kujtua si shëmbëll sakrifice për gjithë brezat e arthme.

 

Me këtë shprehje udhërrëfenjësit rrënjosin simpathinë dhe dashurinë e ndjekësvet për Profetin, fëmijën e Tij, Alinë bashkë me Imamët e tjerë dhe mallëkojnë Umavinjtë dhe gjithë ndjekësit e tyre, për tragjeditë dhe aktet kriminale që kanë bërë. Kjo pasqyrë rrënjoset mirë në zemrat e ndjekësvet dhe ata bëhen me të vërtetë ndjekës të vendosur.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 1 user and 2 guests online.

Online users