Selim Ruhi Baba Erenler 1969-1944

Selim Ruhi Babai është një nga klerikët, dijetarët dhe vjershëtorët bektashinj të fundshekullit XIX. Ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1869. Ai lindi nga martesa që bëri baba Aliu midis motrës së tij, Lahes dhe vëllait të Mustafa Qefshi Babait, Xhemali Baltzës. Studimet fillore i ka kryer në Elbasan, pastaj hyri në kolegjin fetar (medrese), të cilin e mbaroi me sukses që kur ishte 16 vjeç. Më 1885 erdhi në Gjirokastër tek baba Aliu me të atin, Xhemalin dhe mori dorë. Nuk u kthye më në Elbasan. Selim Ruhi Babai vazhdoi edhe dy vjet të tjera kursin e posaçëm të kolegjit në Gjirokastër dhe u pajis mirë me kulturë, duke zotëruar mirë tri gjuhët klasike fetare; arabishten, turqishten dhe persishten.

 

Më pas ai mori dekretin kulturor ( ixhazetnamenë) nga shkolla më 1887, pastaj bëri premtimin solemn tek baba Aliu dhe nuk u nda më prej tij më 1888. Pas tre vjetësh, më 1891, u dorëzua dervish nga dora e baba Aliut. Studimet i vazhdonte gjithnjë duke sjellë vit për vit libra të rinj nga Stambolli, të cilët i lexonte dhe i studionte bashkë me baba Alinë. S`kishte mbetur libër, s`kishte mbetur koment që nuk e kishte parë. Këtë e kishte realizuar jo vetëm me subjekte fetare, por edhe me lëndë të tjera, si histori, gjeografi, leteraturë, libra shkencorë, libra të historisë natyrale, filozofi, e të tjera lëndë të këtij lloji. Selim Ruhi Babai ishte përgatitur kështu në çdo fushë, sa mund të konsiderohej më i kulturuari nga të gjithë klerikët e kohës së tij dhe më i ndrituri prej të gjithëve. Këtë nuk e themi vetëm ne, por e çmonin të gjithë ata që e vizitonin. Dijetarët e Gjirokastrës, të çdo kategorie qofshin, kënaqeshin shumë me bisedat e tij dhe e kishin bërë zakon që çdo ditë pushimi, (që në atë kohë ishte e premtja), e vizitonin dhe rrinin 4-5 orë pa u tundur, duke biseduar gjëra fetare, kulturore, leteraturë dhe çdo lëndë tjetër. Dijetarët e largët nga Libohova, Delvina, Korça e të tjera vende vinin në teqe dhe flinin atje ditë me radhë. Shumë herë mbushnin dhe javën e nuk shqiteshin nga biseda e ëmbël e tij. Më anën tjetër ishte i pajisur mirë nga baba Aliu edhe me frymën mistike dhe kështu ishte bërë tamam si një presë, që pret nga të dy anët. Kaq e simpatizonte populli, sa kurdoherë njerëzit thoshin me njëri- tjetrin: “Me të vërtetë baba Aliu na u plak, por kemi Dervish Selimin, i cili do të na mbyllë plagën e tij, kur të ndërrojë jetë!”

 

Baba Selimi e kishte natyrën shumë të butë dhe ishte shumë i urtë dhe i ëmbël. Kishte një pamje të bukur shumë. Ta kishte ënda ta shikoje; i bardhë dhe i kuq! Baba Aliu, si i sertë që ishte, diku zemërohej me donjë dervish ose civil dhe e shikonte me sy të egër. Por baba Selimi, si i butë që ishte, kur e shikonte Babanë të zemëruar nga ndonjë, shkonte menjëherë dhe i lutej që ta falte. I puthte dorën në emrin e tij, i kërkonte ndjesë dhe i lutej shumë deri sa e zbuste Babanë dhe e falte.

 

Vlerësimi

Veprimtaria e baba Selimit, pas dekretimit Meritat e baba Selimit bënë që ai të adhurohej nga të gjithë si nga kleri, nga myhibët dhe nga populli mbarë. Kështu që, kur ndërroi jetë baba Aliu, më 1907, simbas dekretimit dhe porosisë së tij, baba Selimi zuri postin e tij dhe e kreu detyrën me dinjitet dhe zotësi të jashtëzakonshme për tridhjetë e shtatë vjet me radhë, si dhe baba Aliu vetë. Këtë e shpjegon dhe kënga e popullit me rastin që ndëroi jetë baba Aliu:

 

Të enjten mbrëma, e xhuma u gdhi,

Dervishët i mblodhi, u bëri porosi:

“Pa dëgjoni çuna, unë jam jollxhi”.

Dervishët i thanë: “Vemi ne për ty”.

“Jo, mor çuna, jo. Njëja s´bëhet dy;

por në këmbë t’ime baba Selimi,

Ay është unë, unë jam ay!…”

 

Me të qëndruar në post, baba Selimi e përhapi shumë bektashizmin, i shtoi shumë anëtarët spiritualë jo vetëm me shqiptarë, por edhe të huaj. 90 për qind e studentëve të medresesë fetare në Gjirokastër u bënë myhibët e tij. Jo vetëm kaq, por edhe të huajt, që ishin në Gjirokastër si nëpunës, me detyra të ndryshme, vinin në teqe dhe shumë prej tyre merrnin dhe dorë. Fama e tij u përhap aq tepër sa një major turk, i quajtur Shevki bej, i cili komandonte një garnizon ushtarak në një krahinë të Maqedonisë, kur dëgjoi meritat e baba Selimit, erdhi në Gjirokastër për të marrë dorë dhe u dorëzua më 1907 nga dora e baba Selimit. Ai major ishte edhe poet. Me atë rast, një nga vjershat e tij, ia kushtoi personit dhe meritave të baba Selimit.

 

“Nga dor’ e Selim Babait, kushdo që sherbetin pi,

Dhe i vogël, po të jetë, bëhet njeri i dëgjuar.

Ujt`e gjallëris ësht’ vallë, pija që na jep ay!?

Se s´ndryshon nga ujt`e Hizrit, që ësht`i përjetësuar!

Cilësit të t’i përshkruaj, un’ i gjori s’kam fuqi!

S`tà them dot meritën t`ënde, që ësht’ aq e lartësuar!

Bukuri e gjith’ Hurivet, s’e zë vend`e tij, Shevki!

Për atë që dashuri lith n’atë pamje të ndrituar!

(Marrë nga libri turqisht “Shevki- Hajati ve shiirleri”

(Shevkiu- biografia dhe vjershat e tij), prej Durgut Koca.

 

Përkujtimi/ Disa ditë më parë, kryegjyshi Botëror i Bektashinjve ngriti lart figurën e ndritur të tij

 

Përkujtohen data e vdekjes së ish-kryegjyshit Botëror dhe baba Selimit

 

Këto ditë në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u përkujtuan me respekt datat e kalimit në jetën e amëshuar të ish-kryegjyshit Botëror Sali Njazi Dedeit, si dhe baba Selimit të Gjirokastrës. Në ceremoninë modeste kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi, pasi foli rreth personalitetit të shquar të bektashizmës, Sali Njazi Dedeit, u ndal më pas në figurën madhore të baba Selimit të Gjirokastrës. Midis të tjerave, në figurën e tij Haxhi Dede Reshat Bardhi u shpreh se në lëvizjen e madhe të shqiptarëve për autonomi, në vigjilje të shekullit të kaluar, teqetë e jugut ishin shndërruar në vatra të përhapjes së gjuhës shqipe. Baba Selimi, me financat e veta mundi të çelë në Gjirokastër klubin atdhetar “Liria”, sipas modelit të klubit të fshehtë të Manastirit. Së bashku me myhibë të tij, siç ishin: Haxhi Shapllo, Hasan Shiku, Senushe Hajro etj., klubi “Liria” i Gjirokastrës u shndërrua në një çerdhe të ngrohtë për të gjithë luftëtarët e atyre anëve, të cilët patën rrëmbyer armët për t’u dalë zot fateve të vatanit. Në kujtimet e veta rreth këtyre ngjarjeve, patrioti i shquar Mihal Grameno thotë se pa ndihmën e drejtpërdrejtë të baba Selimit, çetat e Çerçiz Topullit nuk do të mund të arrinte formën e merituar. Ky punëtor i palodhur i bektashizmit, me nacionalizmin e kulluar të tij, u përball në mënyrë të drejtpërdrejtë me veprimet shovene të artdashësve grekë dhe kurdoherë doli fitimtar, sepse ishte me të drejtën e zotit, kishte mbështetjen jo vetëm të besimtarëve gjirokastritë, por të gjithë jugut. Në fund Haxhi Dede Reshat Bardhi u shpreh: “Duke përkujtuar 60-vjetorin e vdekjes së baba Selimit të Gjirokastrës, ne përkujtojmë në të vërtetë privacionet përmes të cilave kanë kaluar jetët e klerikëve bektashinj. Çdo jetë e tyre është një faqe mirësie, drejtësie, dashurie e pakufishme për atdheun. Jeta e këtyre udhëtarëve të ndritur në rrugën e Haxhi Bektash Veliut na bën dritë sot e përgjithmonë. 

Syrja Xhelaj

 

Bashkëpunimi/ Çeta e Çerçiz Topullit vepronte pasi këshillohej me baba Selimin, të cilit gjithmonë i dilte fjala

 

Si e përndoqën grekët për ta vrarë

 

Dijetarët, gazetarë e ministra të huaj, gjithmonë të mahnitur nga zgjuarësia dhe urtësia e baba Selimit

 

Të gjithë të huajt evropianë, që e vizitonin në Shqipëri, si gazetarë, shkrimtarë, ministra të akredituar pranë shtetit shqiptar dhe shumë personalitete të mëdha, e lavdëronin mjaft baba Selimin nëpër gazetat dhe revistat e vendit të tyre. Dijetari austriak, Babingeri, kur erdhi në Shqipëri, shkroi me hollësi në një nga gazetat e mëdha të Vjenës për vizitën që i bëri baba Selimit, për drekën që i shtroi në teqe, si dhe për pamjen dhe bukurinë e vjershave që pa në divanin e tij. Më 1908, kur çeta e Çerçiz Topullit ishte në mal, vinte natën në teqe me shokët e tij, pasi Çerçizi ishte myhib i baba Aliut. Baba Selimi u dha shumë ndihma në përkrahjen e tyre, sidomos kur u formua Klubi shqiptar më 1908, me anën e myhibëve të baba Aliut, Haxhi Shapllos, Shemsho Hajros, Ahmed Poshit dhe shumë shokëve të tjerë, sidomos të myhibit të tij, Hasan Xhikut. Si efekt i këtyre përpjekjeve dhe si personalitet me rëndësi, baba Selimi vuajti shumë në kohën e okupacionit grek 1913 nga andartët, që kërkonin ta ekzekutonin. U iku fshehurazi me gjithë dervishët, në shtëpinë e motrës së tij. Dervish Sulo Kuka, një dervish plak, që nuk ecte dot, mbeti në teqe, së bashku me disa shërbëtorë. Kur shkuan atje, andartët e rrahën dhe e torturuan aq shumë sa, kur arriti në Gjirokastër, jetoi vetëm tri ditë dhe ndërroi jetë. Grekët u futën në teqe, grabitën gjithë plaçkat dhe e zhveshën fare. Pastaj e mbajtën dhe e përdorën si kazermë ushtarake për tre vjet e gjysmë dhe e shkallmuan fare, sa s’lanë dyer e dritare, duke i djegur për zjarr nëpër oxhakët e dhomave. I grabitën gjithë bagëtitë e holla, dhentë e dhitë, pulat, gjithë bagëtitë e trasha, lopë e qe e viça, si dhe mushka, kuaj e pela, që arrinin të gjitha në mijëra krerë. Me pak fjalë, e zhveshën krejt dhe nuk i lanë gjë prej gjëje teqesë. Kur u themelua qeveria lokale më 1914, si shumë gjirokastritë që i internoi në ishullin Ithaq, deshi të internonte edhe Babanë bashkë me ta. Por të krishterët e Gjirokastrës, për simpatinë që ushqenin për atë teqe, ndërhynë pranë Qeverisë greke dhe e lanë të lirë. Kur u shpall autonomia e Zografos në Gjirokastër në kohën e Zografos dhe Qeveria greke bëri sikur e tërhoqi ushtrinë e saj, çeta e Çerçizit, që ishte në malin e Picarit dhe në Shtëpëz, kujtoi se me të vërtetë u tërhoq ushtria greke dhe kishin mbetur në vend larot e autonomisë. Në këtë mendim, çeta deshi të sulmonte dhe të çlironte Gjirokastrën. Por me ndërlidhjet dhe njerëzit që vinin fshehurazi, Babai i dërgoi lajm Çerçizit se kjo ishte një manovër e qeverisë greke, e cila në të vërtetë e kishte ushtrinë e saj aty pranë. Po të shohë që u shkrehën andartët, menjëherë do të ndërhyjë ushtria e rregullt, e cila do ta shkatërrojë dhe do ta djegë krejt qytetin. Çerçizi i pa të arsyeshme këshillat e baba Selimit dhe nuk bëri asnjë tentativë të tillë. Fjalët e Babait u vërtetuan pas pak muajsh kur ushtria greke hyri përsëri zyrtarisht në Gjirokastër dhe e prishi autonominë.

 

Dhe në shtëpinë e motrës që qëndronte baba Selimi, dashamirësit e vizitonin gjithnjë. Shtëpia u bë si teqe e vogël. Njerëzit që s´kishin punë shumë në atë kohë, sidomos të kulturuarit, ish-nëpunësit dhe efendilerët, atje gjenin ngushëllimin dhe kalonin kohën.

 

Sakrifikimi/ Vështirësitë për ta ruajtur teqenë nga grekët dhe nga okupacioni italian

 

Kontributi për çlirimin e vendit dhe këshillat e urta

 

Një ditë të premte Neim efedi Xhangua dhe disa të tjerë ishin nisur të shkonin në xhaminë e Pazarit të falnin faljen e xhumasë. Atë ditë ushtarët grekë që rrinin në kështjellë ishin varganisur gjatë murit të kështjellës, merrnin gurë prej murit dhe, për t´u tallur, qëllonin me gurë çdo njeri që shkonte ndënë të, në rrugë. Kështu që Neim efendiu me shokët, si s`mundën të shkonin dot për t`u falur, u kthyen dhe erdhën në shtëpinë e babait, që ishte aty afër.Si u mirëseardhën në shtëpi dhe u pritën nga Babai, Neim Efendiu i tha: “Baba! Ne nuk e kishim në program t’ju vizitonim sot, pse ishim nisur të falnim xhumanë në zhaminë e Pazarit. Mjerisht, ushtarët qëllonin me gurë nga kalaja dhe kështu s´mundëm të shkojmë dot. U kthyem këtu”. Këtyre fjalëve babai iu përgjegj: “Prandaj duhet të kemi besim dhe bindje të plotë në fjalën e madhe të profitit Muhamed (a.s.), i cili ka thënë: Dashuria e atdheut lidhet ngushtë me besimin. Kjo fjalë zbatohet pikërisht në këtë ditë, pse ne, meqë s´kemi Atdheun tonë të lirë, s’e kryejmë dot detyrën fetare, t’i lutemi Zotit. Kjo duhet të jetë një provë dhe të na bindë se pa atdhe s´mund të mbahet feja. Ato janë dy gjëra të lidhura me njëra-tjetrën!”

 

Për simpatinë që kishte në popull, teqenë e tij kur iku greku, e ndërtoi menjëherë, mbasi i erdhën dhe shumë ndihma nga shqiptarët e Amerikës dhe e mbajti me dinjitet deri në fund. Vlen të thuhet këtu se për ta pastruar teqenë, të cilën e kishin fëlliqur krejt grekët për tre vjet me radhë, u shkulën me qindra gra nga Gjirokastra, të cilat e lanë, e lyen dhe e pastruan mirë, kaq ditë me radhë.Vinin në mëngjes dhe iknin në mbrëmje. Babai përgëzonte shumë zonjat për shërbimet që i bënin dhe kurdoherë i lutej Zotit t´ua shpërblente me të mira! Më 1941, kur ra dëshmor Salih Niazi dede në Tiranë, iu lutën gjithë kleri që ta bënin kryegjysh atje, por baba Selimi nuk pranoi të largohej nga teqeja e tij. Në kohën e okupacionit italian, kur filloi lufta për çlirimin e atdheut, Babai përkrahu nxehtësisht nacionalizmin shqiptar. Thirri gjithë fshatrat me radhë dhe i këshilloi të bënin luftën e çlirimit me ngjyrë shqiptare, duke u larguar nga ideologjia e huaj. Komunistëve kjo gjë s`u vinte mirë, por s’kishin se ç`bënin, se ditën që do të merrnin fuqinë ata, Babai ndërroi jetë, pikërisht më 1944. Vlen të përmendet me këtë rast se në kohën e okupacionit italian, kur do të hapej Lufta Italo- Greke, të huajt përhapën një propagandë që të mblidhnin vullnetarë shqiptarë për të çliruar Çamërinë. Babai, i cili e kuptoi këtë manovër, i këshilloi të gjithë besnikët që të mos shkonin, duke u thënë se “kur ne ishim të okupuar për vete, qysh do të çlironim të tjerët”. Propagada për vullnetarë ishte një manovër për të gënjyer popullin. Kështu besnikët nuk morën pjesë në atë manovër. Këtë qëndrim të Babait e mësuan me saktësi edhe grekët kur erdhën në Gjirokastër më 1940 dhe sado që internuan shumë njerëz, Babanë nuk e trazuan fare.

 

Krijimtaria

 

Divanet, në arabisht, turqisht e persisht

 

Baba Selimi kishte pasur talent të shquar për të shkruar vjersha dhe kishte shkruar për 25 vjet me radhë tre Divane të mëdhenj në gjuhën arabishte, persishte dhe turqishte, në dorëshkrim, me një shkrim aq të bukur dhe tërheqës, sa çuditej kushdo që e shikonte. Sidomos të huajve u tërhiqte vërejtjen dhe e përmendnin pothuaj ngaherë në shkrimet e tyre. Të gjitha vjershat e fundit kishte filluar t’i shkruante edhe gazeta shqipe, duke ëndërruar të bëntë pjesën e katërt të divanit të tij, por nuk i premtoi koha. U ngatërruan kohët, erdhën revolucionet në moshën e kaluar dhe s´mundi t`i mbaronte. Ka shkruar edhe një libër të trashë të titulluar “Mendime për udhërrëfimin” (Reëjul Irshad), ku përshkruan me hollësi se ç`kuptohet nga udhërrëfimi, cilat janë bazat e tija, efektet e tij dhe të tjera gjëra interesante. Kishte mbledhur edhe të gjitha cermonitë bektashiane, duke komentuar bukur dhe duke treguar bazat e tyre, në Kuran, në Fjalët e larta, në Fjalët e profitit Muhamed (a.s.) dhe në të gjitha fjalët e shpjegimet e të gjithë shenjtorëve të mëdhenj. Mjerisht, të gjitha librat, poezitë dhe dorëshkrimet e tij, të cilat janë një thesar i paçmueshëm, mbetën krejt në Shqipëri dhe për fat të keq, s`kemi në dorë asnjë që ta riprodhojmë këtu. Kur u pyet një herë nga një i huaj orientalist se cila është vija islame që ndjekin bektashinjtë, Babai ia shpjegoi vijën bektashiane gjer ´e gjatë me një vjershë të tij, nga e cila na kanë mbetur në mend këto tri strofa:

 

“Muhamedit pas i shkojmë,

Në fjal’ në veprat e Tia,

Fëmijn’ e Tia pasojmë,

Me urdhër nga Perëndia.

Robën e kulturës mbajtëm,

Me atë ne u zbuluam,

Pas Imam Xhaferit vajtëm,

Tek Ay u përqendruam.

Ruhi! Këtë pikë theksoje

Që ka ardhur nga Aliu,

Dorn`e Pirit ti pushtoje,

Tek Haxhi Bektash Veliu”.

 

Dhe në një vjershë dashurie, kushtuar udhërrëfenjësit të tij, Ali Haqi Babait, në dy strofat e fundit thotë:

 

“Pse s`i a thotë Turabiut, Vet Haqiu dashurinë.

Q’i kushtojm Ali Haqiut,

Me gjith shpirt përunjësinë?

T`i thot`Dashrus ësht`Ruhiu

Shpirti vetë i a kallzon,

Dashuri ka tek Aliu,

Bukurinë i këndon!”

Këngë për teqenë e Zallit

Teqeja në mes të zallit.

Si vapor që shkon drejt malit,

Verbove sytë junanit,

S’të digjte as urë e zjarrit,

Myqa – presë e jataganit.

S’thyhet besë e bektashnjive!

Teqeja në zall të ri.

Vallë kush është si ti,

Një teqe në Turballi,

Nur, o Baba Selimi

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 2 guests online.