Si lindi Bektashizmi

Gül Baba Türbesi, Budapest

 

Bektashizmi (sekt mistik i Fesë Islame) u-themelua nga Hunqar Haxhi Bektash Veliu. Haxhi Bektashi bazat e këtij sekti i mori nga Misticizma islame, të adaptuara nga i Madhi Ali, i cili u-frymëzua nga Profeti Muhammad (aleihi selatu ve salem).

 

Haxhi Bektashi lindi në Nisabur të Horasanit në Persi me 1248 pas Krishtit. Rridhte nga një familje e madhe persiane, e cila në kohën e tij qeveriste një pjesë të gjerë të vendit.

 

Qysh në moshën e njomë, Haxhi Bektashi u-shqua për cilësi të rralla. I vinte keq për çdo gjë, ndihmonte çdo njeri, falte çdo faj. U-pajis me një kulturë të gjerë dhe u-thellua sidomos në filozofi dhe mistikë.

 

Në moshën madhore, kur i ati i tij ndroi jetë, Haxhi Bektashi nuk pranoi të zinte vendin e mbetur zbrazët si governator, vend i cili i përkiste si trashëgim. Dhe popullit, që i u lut t'a pranonte, Haxhi Bektashi i u përgjegj me këto fjalë:

"Dashuria ndaj Zotit është për mua froni më i lartë."

 

Mendimet dhe këshillat e Haxhi Bektashit u-përhapen në shume vise. Që të gjithë ata që e vizitonin mbeteshin të habitur nga zotësia e mrekullueshme e tij dhe i përunjeshin me respekt. Ai u-largua nga të gjitha dhantitë e kësaj bote dhe kujtdo i predikonte pastrimin e vetvetes nga çdo e keqe. Qëndroi i izoluar për shumë vjet në një falëtore, ku i lutej Zotit për mbarësinë e gjithë njerëzisë, si edhe për faljen e gabimeve dhe të metave të saja. I lutej Zotit gjithashtu qe t'i ndriçonte njerëzit, t'i frymëzonte me ndjenjat e dashurisë e të mirësisë dhe t'i zhvishte nga çdo ves, që kështu të fitonin me të vërtetë emrin njeri.

 

Me në fund u-keshillua nga udhëheqësi shpirtëror i tij, Hoxha Ahmet Jeseviu, të shkonte në Anatoli që, asikohe, quhej Biladi Rum, për të drejtuar njerëzinë në rrugën e mbarësisë e të përsosmërisë.

 

Para se të merrte rrugën per në Anatoli, Haxhi Bektashi vizitoi turbenë e të Madhit Ali në Nexhef të Irakut; mauzeleumin e Profetit Muhammad në Medine; varret e Profetëvet Ibrahim, Davud e të tjerë në Palestine, Damask dhe Alep. Shkoi gjithashtu në Mekkë për të plotësuar urdhërin e Haxhillëkut Islam, pas të cilit mori titullin Haxhi.

 

Kur arriti ne Anatoli, fama e tij ishte përhapur mjaft. Me mijra veta i duallën perpara, gjatë udhëtimit, për t'a përshëndetur me përunjesi dhe për të dëgjuar këshillat e tija morale. Më në fund u-vendos në vendin e caktuar, në Suluxhe Karahujuk, i cili më vonë mori emrin Haxhi Bektash.

 

Atje arriti në vitin 1281, ku u-takua edhe me shumë mistikë të tjerë. Në fillim gjeti disa kundërshtime, par me zotësi, urtësi dhe predikime morale mundi t'i kapërcejë pengesat dhe, më në fund, i u-përunjen të gjithë me respekt. Pas një viti, më 1282, Haxhi Bektashi themeloi të parën Teqe Bektashiane në botë. Në të njëjtën kohë organizoi ceremonitë e shërbesave fetare dhe vuri në zbatim rregullat bektashiane, të cilat vazhdojnë edhe sot në të gjitha Teqetë. Brënda në pak kohë numri i besnikëve bektashinj u-shtua në mijra e mijra 

veta.

 

Bektashizmi u-përhap në gjithë Turqinë. Bashkë me Bektashizmin u-përhap edhe fama për Haxhi Bektashin si shënjtor. Prandaj shumë veta dëshironin t'a vizitonin. Edhe mbreti i asaj kobe, Sulltan Orhani, që u-informua mbi këtë njeri të madh, vendosi të shkojë t'a vizitojë per të marrë bekimet e tij.

 

Sulltan Orhani mbeti aq i prekur nga Haxhi Bektashi sa i tha:

"Burrë i vërtetë, fjala juaj më bëri aq përshtypje sa nuk më vjen mirë të largohem."

 

Haxhi Bektashi, me buzëqeshje dashamirësie, i u-përgjegj:

"Po te jesh shpirterisht me mua, edhe në Jemen të jesh, je pranë meje. Po të mos jesh shpirtërisht me mua, edhe pranë meje të jesh, je në Jemen."

 

PERHAPJA E BEKTASHIZMIT

Shumë vjet më vonë pas vendosjes së Haxhi Bektashit në krye të Teqesë së tij, Sulltan Orhani i Turqisë filloi të bëjë një organizim ushtarak të ri. Kur u-organizua kjo ushtri e re më 1330, u-bë një ceremoni madhështore, në të cilën u-ftua posaçërisht edhe Haxhi Bektashi.

 

Me dëshirën e Sulltan Orhanit, Haxhi Bektashi bëri bekimin e kësaj ushtrie dhe vuri mbi kryet e një ushtari, që ndodhej në rrjeshtin e parë, një farë kallpaku prej leshi, i cili mbeti si simbol i shenjtë, gjer në fund, per ushtrinë e re.

 

Si mori fund ceremonia e bekimit, Haxhi Bektashi i u-drejtua Sulltan Orhanit dhe i tha: 

"Kjo fuqi e krijuar nga ju do të quhet Jeniçere. Fytyrat e këtyre ushtarëve do të jenë të bardha e të ndritura. Krahët e tyre do të jenë të fortë. Shpatat dhe shigjetat e tyre do të jenë të mprehta. Kjo ushtri do të shkojë mbarë në luftë dhe nuk do të largohet kurrë nga fusha e betejës veçse si fitimtare."

 

Fjala Jeniçer është persishte dhe do të thotë ushtar i ri. Me anën e Jeniçerëve, që ishin ajka e ushtrisë turke, Perandoria Otomane korri suksese të mëdha e të vazhduara. Ishte pikërisht ushtria jeniçere (e cila u-quajt me tepër ushtri bektashiane se kombëtare) ajo që dha ndihmën me të madhe në zaptimin e Stambollit dhe të vendeve të tjera. Ishte gjithashtu ushtria jeniçere ajo që arriti e para dy herë përpara portave të Vjenës, me 1529 dhe 1532, me Sulltan Sulej- manin në krye.

 

Prapa kësaj ushtrie shkonin edhe misjonarët bektashinj, të cilet u-përhapën në vise të ndryshme, ku këshillonin ushtarët të silleshin në menyrë të urtë e të njerëzishme me popullin. Kështu Bektashizmi mundi të përhapej jo vetëm në Anatoli dhe në Azinë e Vogël, por edhe në Ballkan dhe në Afrikë.

 

Haxhi Bektashi jetoi 93 vjeç dhe ndroi jetë më 1341 pas Krishtit. U-varros me një ceremoni madhështore në Teqenë e madhe që mban emrin e tij. Porosia e tij e fundit për besnikët bektashinj ishte kjo:

"Në ikim, por misjoni i ynë mbetet gjithnjë i gjallë dhe i pavdekshem."

 

Edhe kur ndroi jetë ky burrë i madh, misjonarët bektashinj nuk e humbën aspak, par e vazhduan rrugën e tyre me zell e guxim. Dhe, pas Haxhi Bektashit, drejtimi i Teqesë kaloi në duart e Fisi Çelebi. I pari i këtij fisi që zuri vendin e Haxhi Bektashit ishte Hizir Lalaji. Por nga pasardhësit e Haxhi Bektashit, ai që u-shqua si organizator dhe reformator i Bektashizmit ishte Ballëm Sulltani, edhe ky nga Fisi Çelebi.

 

Të tjerë misionarë të mëdhenj, që vlejnë të përmenden këtu, kanë qënë: Seid Ali Sulltani, që e ka pasur qendrën në Dimotekë të Bullgarisë; Abdall Musa Sulltani, që e ka pasur qendrën në Anatolinë Lindore; Kajgusuz Sulltani, që e ka pasur qendrën në Kajro të Egjyptit; Virani Sulltani, që e ka pasur qendrën në Irak, atje ku ndodhet turbeja e të Madhit Ali; Abdul Mumin Dedeja, myrshidi i Fuzuli Sulltanit, që e ka pasur qendrën në Qerbela, në vend in ku ra dëshmor Imam Hysenji; Durballi Sulltani, që e ka pasur qendrën në Thesali të Greqisë; Gjyl Babaj, që e ka pasur qendrën në Budapest; dhe Shah Kulli Sulltani, që e ka pasur qendrën në Stamboll.

 

  1. Asikohe Bektashizmi ishte organizuar në një menyrë të përsosur dhe ndahej ne gjashtë qendra kryesore, të cilat ishin:
  2. Qendra e Haxhi Bektashit, që përmblidhte pjesën e Anatolisë Qendrore e Perëndimore;
  3. Qendra e Abdall Musajt, që përmblidhte pjeset e tjera të Anatolisë;
  4. Qendra e Seid Ali Sulltanit në Dimotekë, që përmblidhte gjithë Ballkanin;
  5. Qendra e Abdul Mumin Dedesë në Qerbela, që përmblidhte një pjesë të madhe të Arabisë e të Persisë;
  6. Qendra e Virani Sulltanit në Irak, që përmblidhte vendet e Lindjes së Mesme;
  7. Qendra e Shah Kulli Sulltanit në Stamboll, që përmblidhte viset gjatë bregut të Detit të Zi.

 

Nga këto, ajo që shquhe.i me shumë ishte qendra e Seid Ali Sulltanit ne Dimotekë. Kjo qendër shquhej si nga pikëpamja e veprimtarisë fetare, ashtu dhe nga pikëpamja e veprimtarisë kulturore.

 

Qendra e Dimotekës ka qënë djepi i kulturës bektashiane, nga e cila dilnin çdo vit katërqind dervishë që shpërndaheshin në çdo anë. Të gjithë gjyshërit e mëdhenj të Bektashizmit, si Ak Abdullah Dedeja, Vahdeti Dedeja e të tjerë duallën nga kolegji i dëgjuar i Bektashizmit në Dimotekë. Andej duallën gjithashtu edhe shumë filozofë, shkrimtarë e vjershëtorë të mëdhenj, si Nesimiu, Viraniu, Mithaliu, Mustafa Fatih Babaj, Fuzuliu, Ashik Jonuzi, Turabiu, Eshref Rumiu e të tjerë.

 

Veprat e këtyre njerëzve të mëdhenj u-përhapën jo vetëm në qendra kryesore, par edhe në Teqetë më të vogla dhe lexoheshin jo vetëm nga klerikët, por edhe nga populli. Gjuha e këtyre veprave (të shkruara në baza mistike) ishte e thjeshtë dhe e ëmbël. Për këtë aresye u-çmuan dhe u-kuptuan me lehtçsi nga lexonjçsit. Në këtë menyrë, simpathia ndaj Teqevet u-shtua gjithnjë më shumë dhe populli shkonte me dëshirë të madhe në 'to për të gjetur kënaqësi shpirtërore.

 

Teqetë lulëzuan për vete dhe për të tjerët. Kjo periudhë lulëzimi vazhdoi me shekuj. Mirëpo një gjë e tillë nuk shihej me sy të mire nga shumë veta, sidomos nga fanatikët, të cilëvet u tingëllonin shumë rëndë fjalët mistike, që nuk mund t'i kuptonin dot. Por nuk mund të bënin asgjë, jo vetëm sepse shumica e popullit kishte simpathi për Bektashizmin, por edhe sepse shumë sulltanë bënin pjesë në këtë sekt. Njëri nga këta ishte Sulltan Selimi i II-të, i cili kishte marrë dorë nga Gjyl Babaj, Kryetari i Teqesë së madhe bektashiane ne Budapest, gjyrmat e së cilës duken edhe sot.

 

Kur ndroi jetë Gjyl Babaj, vetë mbreti, në krye të mijra ushtarëve, mori pjesë në varrimin e tij. Në atë rast lëshoi edhe një ferman prej bakëri, me të cilin porositëte autoritetet e vendit që të kujdeseshin për Teqenë dhe t'i jepnin përkrahjet e duhura. Kjo gjëndje lulëzimi e Bektashizmit vazhdoi gjer në kohën e mbretërimit të Sulltan Sulejmanit. Pas asaj periudhe filloi dekadenca për ?të, për shkak se armiqt e Bektashizmit shtoheshin gjithnjë më tepër.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 51 guests online.