Mijëra pelegrinë në malin e Tomorrit

 

Kurbani, riti kryesor i kësaj feste



Nëse duhet të shkosh në festën e Abaz Alit, në malin e Tomorrit, kjo nuk mund të ketë kuptim pa flijimin e deles. “Therja e Kurbanit do të thotë se shpirti i kurbanit shkon lart, ndërsa mishi shpërndahet”, shpjegohet riti i kësaj feste. Por një veçori tjetër e kësaj feste është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar për nder të klerikut. Por nuk mbarojnë këtu ritet e kësaj feste, e cila zgjat pesë ditë. Sipas besimtarëve të këtij sekti, marrja e qirinjve të shkrirë, si dhe dheut, i cili ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashinj, sjell mbarësi. Por këtë të fundit, sipas besimtarëve, e bën edhe hedhja e lekëve dhe e sendeve të tjera në varrin e klerikut, siç është ai i Iliaz Dervishit, apo edhe te varri i personit nga ka marrë emrin kjo festë, Abaz Aliu.

 

Nëse do të dish përse mali i Tomorrit është vendi i perëndive, mjafton të shkosh aty në një ditë si ajo e festës së Abaz Aliu. Që nga Tropoja e Kukësi, nga Kosova e Maqedonia, nga Vlora e Saranda, e, padyshim, nga Skrapari, që e ka pronë Malin e Tomorrit, e kanë pushtuar me të gjithë kuptimin e fjalës. Jemi në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit dhe nuk e teprojmë të themi se na duket vetja sikur fluturojmë. Shqipëria është përpara syve tanë. Kur erret shquhet edhe Brindizi i Italisë. Ja, bash këtu prehet Abaz Aliu, një klerik bektashi, që me emrin e tij e njehsoi këtë vend. Dhe, për nder të tij, pelegrinë nga i gjithë vendi e vizitojnë nga 20 deri në 25 gushti çdo vit. Nga Çorovoda në Tomorr

 

E marrim rrugë nga qyteti i Çorovodës. I bie që të ndjekësh rrjedhën e ujit të lumit të qytetit, por këtë herë në krah të kundërt. Male të thepisura dhe një grykë me emrin e Dëvrisë, që edhe në pikun e verës ke ftohtë. Makinat varg-varg të tregojnë sikur je në ndonjë marshim të organizuar. Por edhe sikur dikush t’i organizonte, ky lloj rregulli nuk do të ishte kurrë prezent. Secili e di rrugën e vet. E di kurbanin e vet. E di sa lekë do të bëjë fli dhe se për kë do të lutet kur të mbërrijë tek vendi i shenjtë. Ja afrohemi tek tylbeja e Dervish Brahimit në Dobrushë. Është një mikrogodinë me kulm. Aty hyjnë të gjithë, një e nga një. Lënë lekë, ndezin qirinj dhe thonë ato fjalët magjike.

 

Por pelegrinazhi nuk mbaron këtu. Në malin e thepisur një tufë delesh të presin rrugën. Edhe ato të kujtojnë se janë gati për kurban. Një kurban që secili nga vizitorët duhet ta bëjë pa më të voglin problem. Dhe ashtu ndodh. Një enë e madhe me gjak, e mbushur nga therja e deleve në maj të malit, është simboli i gjithë këtij udhëtimi. Secili mezi pret të bëjë këtë ritual. Kasapë që therin e therin dhe një gjak që derdhet nga trupi i ngrohtë i deles, një gjak aq i justifikueshëm për këtë ngjarje të shënuar fetare.

 

Teqeja e famshme

Këtu duhet të ngjitesh patjetër, që bekimi të përmbushet. Teqeja e Iljaz Dervishit të ofron këtë mundësi në majën më të larët të Tomorrit. E këtë ftohtësi të këtij mali, këto ditë gushti e ka ngrohur sadopak zjarret e shumtë të pelegrinëve nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe rruga është e rregulluar enkas për këtë festë. Besohet se në Shqipëri nuk ka ndonjë mal tjetër veç Tomorrit, që të ketë rrugë që makina të shkojë deri në kulm. Dhe pas ritualit, njerëzit gëzojnë të kalojnë këtu një natë. Çadrat janë hapur tej e ndanë fushës dhe njerëzit i gëzojnë mirë kësaj nate vere në një mal të shenjtë. Të gjithë janë të bindur se kanë bërë diçka që ia vlen. “Kush beson, është mirë, por kush praktikon besimin është më mirë akoma”. Me këtë postulat këta njerëz duket se kanë bërë diçka në jetën e tyre. Kanë respektuar një shenjt, kanë bërë një ritual me të gjitha praktikat dhe pastaj kanë kaluar një anë në majën e malit Tomorr, një mal që në histori njihet si mal i perëndive.

 

Flasin disa nga besimtaret e sektit bektashi

Manushaqe Kau 

Unë, në këtë vend, kam ardhur për herë të parë dhe vij nga Shijaku. Jam besimtare myslimane, si Baballarët e mi. Unë shkoj shpesh në të tilla vende, pasi më pëlqejnë. Për 15 vjet me radhë unë kam shkuar në vende të mira dhe do të shkoj përsëri.

 

Teuta Kau

Vij nga Shijaku. Është hera e parë që vij në këtë vend. Kam shkuar në vende të shenjta, por për mua, këtu ku jam, është shumë bukur dhe ndihem shumë mirë. Nuk besoj se kjo do të jetë hera e fundit që do të vij këtu, pasi unë besoj shumë dhe kjo do të më bëjë të vij shpesh herë.

 

Ilir Jaupi

Jam besimtar bektashian dhe banoj në qytetin e Çorovodës. Në malin e Tomorrit vij vit për vit. Që nga viti 1991 dhe deri tani vazhdoj të vij. Përveç besimit që kam, unë, në këtë vend të shenjtë, vij edhe për të shitur. Tani në këtë vend ka edhe energji elektrike dhe sa vjen dhe bëhet më i mirë.

 

Shpresa

Unë vij gjithmonë në këtë vend. Besoj në vende të shenjta dhe kjo është edhe një nga arsyet pse vij këtu. Rruga është shumë e keqe, por kjo nuk do më ndalojë që të vij këtu. Madje këtë rit të përvitshëm do ta ndjek gjithmonë.

 

Myrteza Cërri

Unë, prej tri ditësh, qëndroj në këtë teqe. Arsyeja e qëndresës sime në këtë vend është, përveç besimit që kam te Zoti, unë ushtroj edhe profesionin e kasapit. Kështu, për tri ditë, unë kam therur 35 kokë bagëti. Kështu, prej tre vitesh unë vij në këtë vend të shenjtë dhe ushtroj profesionin tim.

 

Arturi

Nuk është hera e parë që vij. Pasi një arsye është jetesa ime në Skrapar dhe këtë vend të shenjtë nuk e kam shumë larg. Për mua ky vend është shumë i bukur dhe i mrekullueshëm. Ardhja ime këtu është për shkak të besimit që kam te Zoti dhe te vendet e shenjta. Do të qëndroj disa ditë dhe më pas do të rikthehem në shtëpinë time.

 

Arshin Merko

Unë jam nga Berati dhe në malin e Tomorrit është hera e parë që vij. Kam ardhur dhe kam sjellë besimtarë. Por, edhe pse është vend i bukur, e vetmja gjë që më pengon për të ardhur është rruga. Një rrugë kaq e keqe më dekurajon, që herën tjetër të mos e marr mundimin.

 

Liri Kumbara

Është hera e parë që vij në këtë vend të shenjtë. Jam nga Skrapari. Më pëlqen të vij në malin e Tomorrit, pasi unë besoj te Zoti dhe e di se ai do të më ndihmojë. Edhe pse rruga është e lodhshme dhe nuk është e rregullt, kjo nuk do më ndalojë që të vij këtu.

 

Tomorri, vendi që bashkon shqiptarët, Flet Baba Tahir Emini, Kryetar i Komunitetit bektashian të Maqedonisë

 

Ka udhëtuar shumë orë nga Maqedonia për në malin e Tomorrit. “Të gjithë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia kanë ardhur për të festuar këtë festë. Ky rit i bashkon të gjithë.” Kështu shprehet në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” Baba Tahir Emini i Maqedonisë.

 

Pse keni ardhur në këtë vend?

Erdha nga Maqedonia në emër të të gjithë bektashinjve, që jetojnë në këtë vend, për të bashkuar këtu, në Tomorrin e shenjtë, në vendin e shenjtë të Abaz Aliut, që të bashkohemi shpirtërisht me të gjithë bektashinjtë që jetojnë në Shqipëri.

 

Është hera e parë që vini në Tomorr?

Jo, unë vij çdo vit në këtë vend. Dhe, kjo, vit më vit bëhet më madhështore dhe një numër i madh besimtarësh, i cili shtohet gjithmonë, vjen nga Kosova dhe Maqedonia.

 

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë vend?

Shqipëria dhe shqiptarët janë vendi më me besim në botë. Dashamirësia dhe fisnikëria e shqiptarëve është aq e madhe saqë çdo vit e më tepër vijnë vizitorë nga jashtë, nga trojet shqiptare, por edhe më gjerë. Nga ky vend i shenjtë vijnë që të marrin uratën, në mënyrë që vitin ta kalojmë mbarë e mirë në çdo pikëpamje, në shëndet dhe ndryshime të tjera.

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 1 user and 2 guests online.

Online users