Udhëzimi në Bektashizmë

 

 

 

 Udhëzimi apo tesliqi është menyra qysh të udhëheqet ndjekësi për të arritur në qëllimin e afrimit tek Zoti. Për këtë udhëzim ka dy rrugë: Njera është të stërvitësh veten dhe tjetra të pastrosh shpirtin.

 

Tani vjen pyetja se ç’janë vehtja dhe shpirti? Po e shpjegojmë: Siç dihet, njeriu ka formën e trupit të tij, si edhe esencën kryesore të tij, që është shpirti. Për formën e trupit, për pjesën lëndore, nuk është nevoja të flasim, pse atë shkënca e sotme, fiziologjia apo biologjia, e kanë shpjeguar gjatë e gjerë dhe me hollësi.

 

Mbetet vetëm të flasim për pjesën morale të njeriut, e cila është komentuar në menyra të ndryshme nga të gjithë, por ne do të marrim interpretimet që i kanë bërë mistikët t’anë. Ata vehten e njeriut (nefsin) e ndajnë në katër gjallëri, të cilat janë :

 

  1. Gjallëria natyrale është fuqia që mban dhe ruan të gjitha veglat e trupit të mos shkatërrohen dhe të përndahen.
  2. Gjallëria bimore është fuqia që shkakton zhvillimin dhe rritjen e njeriut si dhe perna. Kërkon t'i gjejë ushqimin e nevojshëm, t'a bluajë në goje, t'a hed.hij dhe t'a tretij ne stomak, ushqimin e nevoshem t'i a shpërndajë trupit, të panevojshmin t'a hedhij jashtë dhe të krijojë fuqinë racjale, që të mos humbasi. Të gjitha bëhen nga fuqia e kësaj gjallërie.
  3. Gjallëria shtazore është fuqia që njeriu me atë ecën, me atë ndjen, domethënë të gjitha ndjenjat e njeriut, qofshin të dukëshme apo të padukëshme, me këtë fuqi lëvizin dhe vihen në veprim.
  4. Gjallëria njerëzore ose ndërgjegja apo shpirti, është një fuqi morale në vetvete, që s'ka lëndë dhe s'ka të bëjë fare me atë. Kjo fuqi është indipendente në trupin e njeriut dhe vihet në veprim vetëm me urdhërin e Zotit. Kjo fuqi është tamam mbreti urdhënuës i njeriut, që urdhërat e tij i zbaton dhe i shpërndan vetëm me anën e veglavet trupore.

 

Qendrën e saj kjo fuqi e ka mu në mes të zemrës, në pikën se cilës në gjuhën fetare i thonë “Noktai sevda” ose “Suvejda”, që do të thotë pika e zezë.

 

Me qënë se urdhërat i zbaton me veglat trupore, ka një farë lidhje me’të. Dhe pjesës se brëndëshme të saj i thonë shpirt. Për këtë arësye kjo përdoret me dy emera: me ndërgjegje dhe me shpirt.

 

Simbas të gjithë mistikëvet, ndërgjegja ndahet në shtatë pjesë dhe është cilësuar edhe nga Kur’ani vetë me shtatë emra:

 

  1. Urdhënuëse në të keqe (Ammâra). Kur ndërgjegja u bindet urdhëravet shtazore të epshit quhet urdhënuëse në të keqe.
  2. Qërtuëse ose e sharë (Lawwâma). Kur bindet dhe njeh të vërtetën e Zotit, por anon dhe mundet nga epshet, quhet e qërtueme ose e sharë.
  3. E përmirësuar (Mulhama). Në qoftë se i kundërshton epshet, anon nga përmirësimi dhe fillon të shqitet nga sundimi i epshevet merr emrin e përmirësuar.
  4. E përunjur ose e bindur (Mutmâ’ina). Kur shkon nga kjo gradë dhe lëvizjet e epshevet i harron fare dhe fillon të bindet merr emrin e përunjur.
  5. E kënaqëshme (Radhîja). Po të kalojë nga kjo fazë dhe harron çdo qëllim të vet quhet e kënaqur.
  6. E përhiruar (Mardhîja). Kur perparon shumë në këtë pozitë i thonë e përhiruar.
  7. E përsosur ose e plotësuar (Qâmila). Dhe kur pajiset me të gjitha cilësitë e përsosmërisë dhe arrin pjekurinë e duhur quhet e përsosur ose e pjekënuar.

 

Sa për shpirtin, siç thamë, ai është brendësia e ndërgjegjes ose thelbi i saj.

 

Dhe për shpirtin mistikët e përgjithëshëm islamë kanë thënë se edhe ai ndahet në shumë grada, të cilat, për të patur një ide këndonjësi, i quajmë kështu:

 

E brëndëshmja e shpirtit quhet Sër (e mbuluar). E brëndëshmja e Sërrit quhet Sërru-sër, domethene e brëndëshmja e se brëndëshmes.

 

Dhe kjo gradë e fundit ka një tjetër gradë që quhet e fshehur (hafi). Pas kësaj ka një tjetër grade që quhet e fshehura e së fshehurës (hafijul hafi).

 

Kjo e fundit ka gradën më të lartë fare, që quhet “Më e fshehura” (Ahfa).Tani qëllimi me të fshehurën fare këtu është burimi apo esenca e shpirtit.

 

Mbassi dhame këto hollësi per ndërgjegjen dhe per shpirtin, duhet të shpjegojme se qysh kryhet me këto stërvitja e vetvetes.

 

Kjo bëhet duke vazhduar gjithnjë përmëndjen e Zotit, simbas udhëzimevet të udhërrëfenjësit.

 

Natyrisht ndjekësi në fillim është në pjesën e parë, në “Urdhenuesen në të keqe”. Atëhere fillon udhëtim shpirtëror, duke i kërkuar me pare ndjesë Zotit dhe pastaj duke vazhduar përmëndjen dhe Njësimin e Tij.

 

Po të vazhdojë ndjekjen përparon moralisht dhe arrin në pozitën e dytë, që është pozita qërtuëse, ose e sharë. Këtu duhet të bëjë luftën e madhe, luftën e vetvetes, që ka thënë Profeti i Madh Muhammad (alejhi selam). Duhet të hedhij poshtë idenë për të fituar famë, ose për t'u-lartësuar. Duhet të heqij dorë nga ideja për t'u-pasuruar dhe duhet, me një fjalë, të largohet fare nga çdo shijë ose dashuri e kësaj bote.

 

Kjo gjë është shumë e veshtire, se kjo botë është shumë e dhëmbshur dhe tërheqëse, por, po të përpiqet, e kapërcen dhe përparon.

 

Po të perparoje gjithnjë, arrin në shkallën e pozitës se tretë, që është pozita e përmirësuar. Pse, edhe kur bën ndonjë gabim, ndjen një dhëmbje dhe rrahje nga ndërgjegja. Kështu moralisht është i përmirësuar.

 

Në poziten e tretë ndjekësi ndjen shijë nga permendja e Zotit dhe permireson moralin. Në këtë pozitë fillon t’i hapet thesari i dashurisë shpirtërore, lë mënjanë dashurinë e kësaj bote dhe deshiren e botës tjetër dhe perqendrohet ne dashurinë e Zotit të Vetëm, gjë e cila në gjuhën fetare quhet “Fitirni i parë”.

 

Por prapë duhet të këtë mëndjen mos gabohet. Duhet të hajë pak, të flëjë pak dhe gjithnjë të ndjenjë shijë nga lutjet.

 

Po të përparojë në këtë menyrë kalon në pozitën e katërt, që është pozita e perunjur ose e bindur, ku shijat e kësaj bote i kanë ikur fare. Vetëm shikon bukuritë e krijesavet të Zotit, për hir të të Cilit sakrifikon çdo gjë dhe jetën e tij vetë e dhuron me kënaqësi.

 

Kur përparon në këtë drejtim shkon në fazën e pestë, që është pozita e kënaqëshme. Në këtë pozitë i largohen fare ndjenjat shtazore dhe arrin ne fazën e gjëndjes me Zotin në botën hyjnore, ku i hapet syri dhe shikon. Atëhere thotë se nuk ekziston gjë tjetër veç Zotit.

 

Passi përparon në këtë arrin në shkallën e gjashtë, që është pozita e përhiruar. Në këtë pozitë shikon larg dhe i afrohet pozitës me të lartë që është shkalla me e përsosur. Arrin në shkallën e shtatë, që është pozita e përsosur ose e pjekenuar.

 

Kjo është pozita e shkrirjes për Zotin në dashurinë e Tij, që është pozita e shënjtorëvet dhe e të afrëmvet të Zotit. Në këtë pozitë i është zhdukur fare çdo gje ndjekësit dhe s’i ka mbetur gjë tjetër veç Atij, me të cilin flet, dëgjon, etj.

 

Ky është, pra, kuptimi i udhëzimit dhe përfundimi i përpjekjevet të ndjekësit, të cilat bëhen (siç thamë) me udhëzimit e udhërrëfenjësit simbas normavet fetare.  

 

 

Bektashi Cloud

User login

Navigation

Who's online

There are currently 0 users and 52 guests online.